Më 6-7 shkurt, 2013, në Hungari, u mbajt takimi i dytë i PAIRS mbi “Programet Efikase për Integrimin/Përfshirjen aktive të Romëve në Evropën Juglindore”.

Më 7 shkurt, në Tarnabod, Hungari, u mbajt takimi i PAIRS “Bashkëndajmë përvojën, inkurajojmë përfshirjen”.
Partneriteti PAIRS përfshin 18 partnerë (11 që financojnë) nga 8 vende juglindore, ku përjashtimi i popullsisë Rome paraqitet në nivele të larta– Shqipëria, Bullgaria, Hungaria, Italia, Romania, Serbia, Sllovakia dhe Ukraina.
Partnerët nga Shqipëria janë: Malteser Shqipëri, Teuleda-Agjencia e zhvillimit Ekonomik Lokal, dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Projekti i PAIRS ka qëllim që të bashkojë shembuj të mirë të linjave të veprimit sektorial dhe vendor që kanë shërbyer për një përfshirje efektive të komunitetit Rom në tetë vendet dhe ofron një platformë për këmbimin ndërkombëtar të njohurive për të lehtësuar përfshirjen e minoritetit Rom në rajon.
Minoriteti Rom është minoriteti etnik më i madh në Evropë. Afërsisht 10-12 milion Rom jetojnë në Evropë, rreth 68/% (7.5 milion) prej tyre jetojnë në vendet e mbuluara nga programi i Evropës Juglindore.
Takimi u mbajt në Tarnabod, një fshat ku 90% e popullsisë është Rome dhe Malteser Hungari drejton një Qendër Multidisiplinore me një kopsht, shkollë dhe punishte.
Agjenda e ditës filloi me një fjalim mikpritës nga Kryebashkiaku i Tarnabod, dhe disa nga temat e tjera të mbajtura ishin:
– “Qëllimet e Projektit”, nga Z. László Moravcsik, projekt menaxher i Shërbimit Bamirës hungarez i Urdhrit të Maltës
– “Qëllimet e përbashkëta duhet të arrihen së bashku”, nga Znj. Livia Jároka, anëtare e Parlamentit Evropian (video mesazh)
– “Strategjia për Romët”, nga Znj. Dora Husz, eksperte e Komisionit Evropian
– “Fondet e BE dhe Romët – mangësitë midis dokumentacionit dhe realitetit”, nga Z. Gelu Duminica, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Imreuna.
Më pas, u bë një shëtitje në Tarnabod, ku pjesëmarrësit mund të vizitonin Qendrën Multidisiplinore.