Mbështetur te “Gazeta Shqip” dt 13.08.2013 / 09.09.2013 dhe faqes zyrtare Delegation of the Europian Union to Albania dt 08.08.2013
Çështja e strehimit është një problem i gjerë për shoqërinë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për shtresa vulnerabile si ato të komunitetit Rom dhe Egjiptian.

Nëpërmjet verifikimeve në terren dhe informacionit të mbledhur nga media, vlerësohet se në këtë zonë jetonin rreth 37 familje rome, shumica e tyre të ardhura në Tiranë që në vitet ‘90.
Këto familje, midis të cilave edhe dhjetëra foshnja, prej disa ditësh qëndrojnë në qiell të hapur, duke u përballur kështu me urinë, skamjen dhe temperaturat e larta të stinës.
Ndërkaq, nga BE-ja, janë dhënë 3 milionë euro për përmirësimin e kushteve të komunitetit rom, një ndihmë e cila ka si qëllim që të adresojë një sërë nevojash të komunitetit rom dhe egjiptian, edhe ato që lidhen me përfshirjen sociale, por që sipas zëdhënësit të Stefan Fules, komisioneri për Zgjerim në Komisionin Europian, Z. Peter Stano, 3 milionë eurot e akorduara nga Bashkimi Evropian për përmirësimin e jetës së këtij komuniteti janë shpërdoruar.
Më herët është mbajtur edhe një Komunikatë për shtyp e Z. Jochen Schult, të të Ngarkuarit me Punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri mbi çështjen e familjeve Rome, mes të cilave thekson se BE-ja është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në çështjen e përfshirjes sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane.
Megjithatë, situata e komunitetit Rom në Shqipëri vijon të mbetet kritike dhe këto 37 familje rome në Tiranë, vazhdojnë të mbeten pa strehë, pasi vendi ku ata qëndronin u zu për t’ia lënë vendin ndërtimit të një pallati.