Pas kalimit me sukses të vitit të parë të projektit “Ndihma e Parë në Shkolla”, Malteser Shqipëri ka filluar vitin e dytë të këtij projekti me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Shkodrës dhe të Lezhës.
Është ky një projekt, i cili filloi si një Projekt Pilot në vitin 2007 – 2008 me miratimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe duke parë suksesin e vet, dhe vullnetin e mirë të nxënësve për t’u informuar dhe praktikuar mbi dhënien e Ndihmës së parë, në vitin 2012 ky projekt u zgjerua në katër faza, për tre vite me radhë. Kështu gjatë zbatimit të vitit të parë të këtij projekti, u përzgjodhën 5 shkolla në Lezhë dhe 10 në Shkodër. U trajnuan 280 nxënës si dhënës të ndihmës së parë dhe 40 nxënës u certifikuan si trajnues të nxënësve për shkollat e tyre.Trajnimet e para për vitin e dytë kanë filluar me nxënësit e shkollave 9-vjeçare “Branko Kadia” dhe “Mati Logoreci” në Shkodër.
Ashtu si edhe gjatë vitit të parë, Trajnimi i Ndihmës së parë në shkolla do të kalojë nëpër katër faza: trajnimi i nxënësve në dhënien e Ndihmës së Parë; trajnimi i multiplikatorëve për të krijuar “Skuadrën e multiplikatorëve (trajnuesve) të Ndihmës së Parë” në çdo shkollë të trajnuar; ofrimi i kurseve të Ndihmës së Parë nga “Skuadra e multiplikatorëve” nën mbikëqyrjen e Malteser dhe konkursi midis shkollave me dhënien e çmimit të përcaktuar më parë për shkollat që do të zënë vendin e parë dhe të dytë.
