
* Vlerësim i çrregullimeve të spektrit autik
* Vlerësim i detajuar i nivelit të zhvillimit
* Vlerësim i nevojave specifike të fëmijës
* Trajtim logopedik
Qëllimi i aktiviteteve është që fëmijët të fitojnë elementët bazë të komunikimit nëpërmjet trajtimit logopedik, si një ndër faktorët kryesorë socialë të integrimit në shoqëri. Duke i lënë hapësirë integrimit të tyre në ambiente të tjerë, siç janë kopshtet dhe shkollat, terapia është menduar që të zhvillohet pasditeve, si mbështetje e veçante e specializuar për fëmijët, prindërit dhe edukatoret qe punojnë me këta fëmijë.
Një vend i veçantë i është dhënë edhe takimit me prindër, të cilët janë të interesuar për ecurinë e fëmijës së tyre si edhe mbi mënyrën dhe teknikat e nevojshme për vazhdimësinë e punës. Takimet me prindër zhvillohen një herë në dy muaj, për të vlerësuar edhe ecurinë e fëmijës. Gjatë këtyre takimeve shkëmbehen mendime në një fushë të gjerë veprimi si: bashkëpunimi prindër-edukator-terapist, vështirësitë që ndeshen në integrimin e fëmijëve në ambientet shkollore dhe parashkollore, informacione mbi autizmin, rrugët ligjore të përfitimit të KMCAP e shumë probleme të tjera, të cilat evidentohen dhe shqetësojnë prindërit.
Të gjithë këta fëmijë trajtohen nga një logopedist, i cili bën pjesë në stafin vlerësues të fëmijëve të spektrit autik dhe si i tillë bën vlerësimet e nevojshme mbi aftësitë, nevojat, teknikat e ndërhyrjes dhe në bazë të këtyre të dhënave harton një plan, i cili aplikohet tek fëmijët dhe që ka të bëjë me ecurinë e fëmijës dhe vazhdimësinë e terapisë. Kjo gjë realizohet gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, duke i lënë hapësirë veprimi sugjerimeve të tyre.