23 shkurti 2013 shënon përvjetorin e 15-të të Udhës së Kryqit, e cila lutet çdo vit gjatë kohës së Kreshmëve në Malin e Taraboshit.

Si çdo vit, ky aktivitet është organizuar nga grupi rinor i Katedrales së Shkodrës “Mësues ku banon”, në bashkëpunim me të gjitha grupet rinore të Dioqezës.
Besimtarë të të gjitha moshave nga Shkodra dhe fshatrat përreth, grupe rinore dhe të rinj që po përgatiten për të marrë sakramentin e Krezmimit, të shoqëruar nga meshtarë dhe motra, u ngjitën në malin e Taraboshit për të përkujtuar Vuajtjet e Jezusit dhe për të lutur 14 ndalesat e Udhës së Kryqit.
Moti ishte me re, me shi dhe i ftohtë, por kjo gjë nuk i pengoi besimtarët që të merrnin pjesë në këtë aktivitet. Lutja e Udhës së Kryqit filloi në ora 9.00 me përshëndetjen e famullitarit Dom Gjovalin Sukaj dhe zgjati përreth tri orë. Gjithçka përfundoi me lutjen përfundimtare nga Imzot Angelo Massaffra, Arqipeshkëv i Shkodrës.
Stafi dhe shumë vullnetarë të Malteser morën pjesë në këtë lutje dhe 3 prej vullnetarëve lutën ndalesën e dytë “Jezusin e ngarkojnë me kryq”.