Titullin e akorduar nga Senati i Universitetit “Luigj Gurakuqi” ia komunikoi Rektori, prof. dr. Artan Haxhi, i cili në fjalën e rastit e falënderoi profesorin e njohur për ndihmesën dhe bashkëpunimin e gjerë dhe të vazhdueshëm në disa fusha.

Prej më shumë se 16 vjetësh në rolin e Ambasadorit të Urdhrit Sovran të Maltës në Republikën e Shqipërisë, z. Gunther A. Granser, ka treguar me kontributin e tij për vendin tonë, vlerat altruiste dhe humane të tij dhe të Urdhrit që ai përfaqëson.
“Më datë 16.06. 2011, ora 11:00, u organizua në sallën e Senatit të Universitetit të Shkodrës, ceremonia e dhënies së titullit “Profesor Nderi”, Prof. Gunther A. Granser. Merrnin pjesë autoritetet me të larta vendore: Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Gjovalin Kolombi. Në këtë ceremoni së bashku me anëtarët e senatit dhe dekanët e fakulteteve asistonin edhe studentë të universitetit, duke shprehur kështu me pjesëmarrjen e tyre një tjetër vlerësim për kontributin e z. Granser”.
Gjate qëndrimit të tij të shkurtër në Shkodër , Prof. Granser se bashku me përfaqësues të organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës , Malteser Shqipëri u prit në një vizitë zyrtare nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Z. Lorenc Luka.
Pas urimit për pozicionin e ri si Ambasador i Urdhrit të Maltës në OKB dhe falënderimeve nga Z. Luka për angazhimin e tij të gjatë në Shqipëri, mbështetjen e vazhdueshme të Malteser Shqipëri e projekteve të saj në Shkodër e në veçanti për mbështetjen e dhënë nëpërmjet Malteser gjatë emergjencave të fundit si dhe për financimin e kopshtit për fëmijët në nevojë, Prof. Granser premtoi që edhe pse nga një tjetër pozicion, së bashku me Ambasadorin e ri të Urdhrit të Maltës në Shqipëri , Z. Schottenhaml do të intensifikojnë mbështetjen e punës së Malteser Shqipëri.
Gjate ditës së fundit të qëndrimit në Shkodër, ashtu si edhe herët e tjera, Ambasadori Granser vizitoi qendrën dhe disa nga projekte të Malteser Shqipëri.
Ambasadori Granser falënderoi përzemërsisht vullnetarët e stafin e Malteser Shqipëri për kontributin e tyre.