Dy doktoresha gjermane kanë kryer vizita kontrolli masiv për përkujdesjen ndaj aftësisë së të parit të fëmijëve të moshës 3-6 vjeç. Vizitat u kryen pranë ambienteve të kopshtit “Malteser”, tek shtëpia e fëmijës si dhe në ambientet e “Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës”.

Vizita mjekësore ka përfshirë:
– Kontroll të defekteve refraktive (të përthyerjeve) me refraktometer
– Kontroll të forcës së shikimit
– Kontroll të pozicionit të syve
– Kontroll të lëvizshmërisë së syve (Motilitetit)
– Kontroll të shikimit hapësinor (stereopsis),
të cilat kanë zgjatur afërsisht 5 – 10 min./për fëmijë.
Gjate vizitës u evidentuan fëmijë që kishin probleme me sytë, të cilët do të bënin edhe një vizitë më të specializuar tek një klinike private, dhe më pas nëse do të ishte e nevojshme, vendosja e syzeve të mundësuar prej tyre. Ishin rreth 110 fëmijë të cilët iu nënshtruan kësaj vizite.
Një “Screening” – ekzaminim në kopsht ose në shkollë, shërben për të zbuluar fëmijët me dëmtime shikimi, të cilat më pas duhet të trajtohen në varësi të defektit që ata mund të kenë (dritëgjatësi – hipermetropi ose dritëshkurtësi – miopi, shtrembërim të kornesë së syrit, vëngërim të syve (strabizëm) etj.).