Festa e karnavaleve në Shkodër ka krijuar një atmosferë magjepsëse, duke krijuar portretin e saj shkodran. Nëpër rrugët e saj sheh tek sfilojnë këngëtarë, aktorë e qytetarë, të rinj e të moshuar me kostume nga më të larmishmit dhe me maska.
Edhe grupet e vullnetarëve të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës i janë bashkuar kësaj feste argëtuese për të gjithë komunitetin, duke organizuar disa aktivitete me fëmijët në nevojë.
Aktiviteti i parë është organizuar në mjediset e kopshtit “Malteser”, ku klouni, i veshur me ngjyra-ngjyra ka organizuar lojëra argëtuese për fëmijët, ndërkohë që disa vullnetarë të tjerë u kanë pikturuar fytyrat.
Festimi i karnavaleve ka vazhduar më tej me fëmijët dhe vajzat me aftësi ndryshe. Vullnetarët kanë luajtur lojëra të ndryshme dhe i kanë argëtuar ata. Ata i janë gëzuar faktit që vullnetarët e Malteser kanë preferuar ta festojnë këtë festë argëtuese në mesin e tyre. Vullnetarët i kanë dhuruar maska, ndërsa vajzat kanë gatuar petulla. Aktiviteti është mbyllur me një ballo.

