Në vazhdimësi të aktiviteteve ndërgjegjësuese në kuadër të muajittë ndërgjegjësimit mbi autizmin, ditën e shtunë, më 25 prill, në bashkëpunim me “Shoqatën Shqiptare të Analizës së Aplikuar të Sjelljes”, Qendra e Këshillimit dhe Shërbimit Malteser, mbajti workshop-in promovues mbi metodën ABA (Analizës së Aplikuar të Sjelljes).
Ky workshop u organizua në ambientet e Bashkisë së Shkodrës me pjesëmarrjen e psikologëve, mësuesve, prindërve, edukatorëve dhe specialistëve, të cilët merren me trajtimin e fëmijëve të spektrit autik.
Workshop-i u fokusua në risitë dhe sfidat e programit ABA në Shqipëri.
Gjatë prezantimit të programit ABA nga znj. Anjeza Dishnica dhe znj. Elona Ceco, u dhanë informacione mbi këtë terapi mjaft të suksesshme në trajtimin e fëmijëve të spektrit autik. Ku fokusohet kjo terapi? Cila është grupmosha ideale për fillimin e terapisë? Çfarë ofron ndryshe nga terapitë e tjera? Këto ishin disa nga pyetjet, të cilat morën përgjigje gjatë këtij workshop-i. Një vend të veçante zunë edhe pyetjet e drejtuara nga pjesëmarrësit, te cilat qenë të fokusuara kryesisht në menaxhimin e rasteve.

