Më 19 maj 2007, u kremtua 10-vjetori i vendosjes së trupores së “Zojës së Lurdit” në shpellën e Komanit, Shkodër. Kjo trupore u vendos atje dhjetë vite më parë, pas trazirave që ndodhën në Shqipëri gjatë marsit 1997. Tre vite më parë, kjo trupore u zëvendësua me një trupore më të madhe. Çdo vit besimtarë nga Komani dhe zonat përreth shkojnë në shtegtim për t’iu lutur Zojës dhe për të kërkuar ndërmjetësinë e saj.Në këtë ditë kremtimi filloi me lutjen e Rruzares dhe përshëndetjen e Don Antonio Giovannini, famullitar i Komanit, që pasoi me përshëndetjen e të dërguarit nga Lurdi, Shkëlqesisë e Tij Imzot Jacques Perrier, dhe valle përgatitur me këtë rast. Të pranishëm ishin besimtarë të shumtë, të rinj e të reja dhe anëtarë të Legjionit të Marisë në Shqipëri.
Më pas, filloi shtegtimi drejt shpellës ku është e vendosur truporja e Zojës. Mesha e shenjtë u kremtua nga Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massaffra, në bashkëkremtim me Shkëlqesinë e Tij Imzot Lucian Avgustini, Shkëlqesinë e Tij Imzot Jacques Perrier dhe shumë meshtarë. Besimtarët e ndoqën Meshën nga trageti.
Do të pasonte një udhëtim prej 30 minutash me traget për të shkuar në një ishull i cili do të pagëzohej me emrin “Ishulli i Paqes”, ku qindra pëllumba që simbolizojnë paqen do të preknin qiellin e kaltër.
Me kërkesën e Shkëlqesisë së Tij Imzot Lucian Avgustini, drejtues shpirtëror i Malteser Shqipëri, 17 anëtarë të stafit dhe vullnetarë të Malteser ishin të pranishëm në kremtimin e këtij përvjetori në Koman, për të ofruar asistencë mjekësore në rast nevoje, me një ambulancë, dy makina dhe pajisjet e nevojshme.
