Me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqipërisë, në Bazilikën kushtuar asaj u kremtua Mesha Solemne, duke shënuar njëkohësisht edhe hapjen zyrtare të Vitit Jubilar. Kremtimi u udhëhoq nga Kardinali i Bazilikës Papnore Santa Maria Maggiore, Hirësia e Tij, Rolandas Makrickas, në praninë e mijëra besimtarëve dhe pelegrinëve nga e gjithë Shqipëria, të cilët u mblodhën për të nderuar Nënën e tyre qiellore. Ky Jubile i shenjtë është një ftesë e veçantë për reflektim, falënderim dhe ripërtëritje shpirtërore, duke e vendosur këtë përvjetor të rëndësishëm në zemër të jetës kishtare dhe të çdo besimtari që i drejtohet Zojës së Këshillit të Mirë si udhërrëfyese, ngushëlluese dhe mbrojtëse në çdo kohë.
Në këtë ngjarje të shënuar, vullnetarët e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës ishin të pranishëm me skuadrën e Ndihmës së Parë, duke ofruar mbështetje dhe shërbim me përkushtim gjatë gjithë kremtimit.





